Thursday, February 23, 2012

Atdhetarizëm me korrespondencë

Postuar nga admin me January - 27 - 2012

nga Ardian Vehbiu

Politikisht, diaspora shqiptare ka qenë organizuar, gjatë shekullit XX dhe veçanërisht pas Luftës II Botërore, rreth idealeve politike madhore, të tilla si legjitimiteti i pushtetit politik në Tiranë, ose nevoja për ta çliruar Kosovën nga sundimi politik serb.

Brenda këtij impostimi, diaspora shqiptare e këtij shekulli veçse çonte më tej një traditë të vyer të veprimit politik të diasporës gjatë shekullit të mëparshëm dhe më herët, kur shqiptarët me banim larg trojeve shqiptare në Ballkan u organizuan për të kontribuar, me të gjitha mënyrat, për rilindjen e popullit e të kombit të tyre dhe krijimin e shqiptarisë (dhe Shqipërisë) moderne.

Në vitet 1945-1990 segmentet e ndryshme të diasporës e gjenin veten te një kombinim i antikomunizmit dhe i kombëtarizmit, i cili mundësonte profilizimin e shqiptarit politikisht aktiv në mërgim si antikomunist dhe kombëtarist i vendosur, qëndrime këto që adresonin njëkohësisht edhe realitetin politik në Shqipëri edhe atë në Kosovë.

Ky orientim politik kish të bënte, drejtpërdrejt, edhe me prejardhjen sociale dhe politike të elementit të ri që iu shtua diasporës shqiptare në Perëndim pas Luftës II Botërore: antikomunistë dhe kombëtaristë të ikur nga Shqipëria dhe nga Kosova dhe të vendosur, ndonjëherë edhe të nxitur, për ta vazhduar në mërgim opozitën e tyre ndaj Tiranës dhe Beogradit. Në një farë mënyre, në diasporë, antikomunizmi u shfaq si trashëgimtar i natyrshëm i kombëtarizmit rilindës, pa çka se, duke filluar me vitet 1970, si trashëgimtarë të kombëtarizmit rilindës do të paraqiteshin edhe komunistët vetë, së paku në Tiranë.

Megjithatë, pas vitit 1990, për Shqipërinë dhe vitit 1999 për Kosovën, këto dy kryerrugë të mendimit politik në diasporë e humbën arsyen për të ekzistuar dhe vazhduan kryesisht për shkak të inercisë, ose të nevojës së organizatave dhe satelitëve të tyre për të mbijetuar me hierarkitë ekzistuese.

Në thelb, antikomunizmi tradicional i një pjese të aktivistëve të sotëm në diasporë mbahet gjallë artificialisht, sepse vetëm ashtu mund të riprodhohen disa nga strukturat e vjetra organizative dhe sociale të diasporës; dhe pavarësisht se ai kërkon me këmbëngulje dhe çdo kusht të provojë se pushteti i sotëm politik në Tiranë kontrollohet prej komunistëve të djeshëm, që pastaj ta denoncojë e ta fshikullojë këtë dukuri dhe të rithemelojë vetveten nëpërmjet protestash dhe distancimesh që mbeten, në më të shumtën, të themeluara në imagjinatë.

Në të njëjtën mënyrë, ajo pjesë e madhe e diasporës kosovare që dje aktivizohej dhe organizohej politikisht rreth përpjekjeve për ta çliruar Kosovën prej sundimit serb dhe duke i mbështetur këto përpjekje mirëfilli deri edhe me njerëz dhe armatime, është gjithnjë e interesuar që kauza madhore e çlirimit prej të huajit të mbetet qendrore jo vetëm në aktivitetin e vet politik, por edhe në vetë politikën e shtetit të ri kosovar të dalë pas 1999-ës dhe sidomos të shumicës shqiptare brenda atij shteti multietnik me kushtetutë.

Në rrethanat e reja të krijuara si në Ballkan pas 1990-ës dhe sidomos pas vitit 1999, si dhe për shkak të ndryshimeve dramatike që ndodhën në vetë përbërjen e saj për shkak të emigracionit masiv, diasporës shqiptare iu shkërmoqën praktikisht themelet e organizimit të saj politik tradicional; dhe bash për këtë arsye, rishtrimin e tanishëm, sado voluntarist, demagogjik dhe artificial, të çështjes së bashkimit kombëtar, organizatat e ndryshme në diasporë e kanë pritur si një injeksion jetëdhënës glukoze, madje adrenaline, në damarët e tyre të rreshkur.

Duke u angazhuar tani sërish në çështje me natyrë fortësisht kombëtare, shumë organizata shqiptarësh jashtë atdheut po e rigjejnë hareshëm atë çfarë studiuesi i njohur Benedict Anderson, autor i klasikut Imagined Communities: Reflections on the Origin and Spread of Nationalism e ka quajtur “kombëtarizëm në distancë” (long-distance nationalism); në një kohë që lëvizjet politike të bashkimit kombëtar, mes tyre edhe AKZ-ja (por jo vetëm) e përdorin rëndom këtë diasporë si kasë akustike për idetë e tyre politike.

Edhe pse globalizimi në përgjithësi, dhe Interneti dhe televizioni satelitor në veçanti, e kanë lehtësuar shumë zotimin e individëve dhe të organizatave nga diaspora në çështje politike të atdheut mëmë, e vërteta mbetet se shumë nga këta individë dhe organizata çojnë një jetë të dyfishtë, duke qenë të zotuar edhe në jetën e përditshme të vendeve mikpritëse, drejtpërdrejt dhe sidomos nëpërmjet familjarëve të tyre të brezit të dytë, që tashmë janë integruar në atdheun e tyre të ri; dhe një pjesë e madhe e tyre kërkojnë të ndërhyjnë në politikën e vendit të origjinës, edhe pse prej së largu, pa marrë pjesë, efektivisht, në jetën e atjeshme me të mirat dhe të këqijat, uljet dhe ngritjet e saj, por kryesisht nëpërmjet pozave dhe retorikës.

Për të njëjtën arsye, idetë politike të organizatave të diasporës, jo vetëm shqiptare por në përgjithësi, jo rrallë priren drejt konservatorizmit fshatarak, djathtizmit populist, kombëtarizmit shpesh përjashtues, ksenofobisë deri në shovinizëm, irredentizmit dhe primitivizmit. Për një qytetar të Peqinit ose të Ferizajt ose të Tetovës, ideja ose vizioni i bashkimit kombëtar ka një tingëllim krejt të ndryshëm nga ç’ka për një qytetar me origjinë shqiptare të rrethinave të Detroit-it ose të Bronx-it. Shqetësimet politike të të parit lidhen edhe me nivelin e jetesës, punësimin, rrogën, kopshtet dhe shkollat, pushtetin lokal, arsimin e lartë, pensionet dhe sigurimet shoqërore, gjykatat, rendin publik, shërbimet sociale dhe mjekësore, gjendjen e rrugëve dhe të rrjeteve të komunikimit, transportin publik, çmimet dhe tarifat, taksat, korrupsionin, kriminalitetin. Shqetësimet politike të së dytit, sa i përket atdheut që ky ende ndan me bashkatdhetarin e vet në Ballkan, lidhen kryesisht, në mos para së gjithash, me bashkimin kombëtar, flamurin, emrat e vendeve, kufijtë, gjuhën shqipe, Shën Naumin, Skënderbeun dhe të tjera çështje me karakter shpesh simbolik ose hartografik.

Këtu ka rëndësi të vihet në dukje edhe diçka që e thekson Anderson në artikullin e cituar më lart: kur ti jeton mijëra kilometra larg, nuk je në kontakt me ligjin e atij komuniteti, për të cilin, megjithatë, të rreh zemra; angazhimi yt është, si të thuash, emocional. Kjo do të thotë edhe, për ta pohuar sërish me Anderson-in, se diaspora, nëpërmjet organizatave të saj, mund të përqafojë këtë apo atë ide apo program politik për atdheun e vet të origjinës, por ajo nuk merr dot përgjegjësi mbi vete, në rast se këto ide dhe programe sjellin pasoja të papëlqyera, madje të rënda për bashkatdhetarët e tyre, që jo vetëm ngrenë flamurin në ditë festash, por edhe e përjetojnë ligjin në lëkurë dita-ditës.

Madje është pikërisht mungesa objektive e përgjegjësisë dhe ndoshta edhe e përgjegjshmërisë (accountability), që e bën moralisht të dyshimtë zotimin total dhe njëngjyrësh të organizatave të diasporës në çështje jashtëzakonisht delikate të politikës shqiptare në Ballkan, si ajo e rishikimit të kufijve dhe të bashkimit kombëtar; jo aq të dyshimtë sa ta vërë në kufi me imoralitetin, por aq të dyshimtë sa për t’i detyruar të gjithë shqiptarët e diasporës, që sot ngazëllehen me rivizatime hartash, që të pyesin veten me ngulm se ku do të jenë ata dhe çfarë do të rrezikojnë pikërisht nga pronat e tyre dhe nga mirëqenia e tyre dhe e fëmijëve, kur këto harta, të rivizatuara, të shtrohen në tryezat e shtatmadhorive të Luftës.

Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org

(marre nga ResPublica)

Gjithashtu mund te lexoni

Komentoni

Terre des hommes Albania

Zbulime të pakëndshme: Frankfurter Allgemeine Zeitung për 21 Janarin

nga Pjesë nga FAZ/Karl Peter Scharz/Ina Verbica Para një vitit para kryeministrisë në Shqipëri u vranë katër demonstrues. Prokurorja që [...]

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum

nga Ilirian Agolli Veprimtarë të mjedisit dhe të shoqërisë civile po vazhdojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të [...]

Bundestagu mbështet hapjen e dosjeve sekrete në Shqipëri

nga Ani Ruci Bundestagu gjerman rikonfirmon gadishmërinë për t’i dhënë mbështetje politike e asistencë teknike Shqipërisë në procesin e hapjes [...]

Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së

nga Ilirian Agolli Komisioni i ligjeve në parlament miratoi sot me votat e shumicës kërkesën e një grupi deputetësh për [...]

Ambasadorët e BE, SHBA dhe OSBE, të hidhet dritë e plotë mbi ngjarrjet e 21 janarit

nga Armand Mero Në Shqipëri, tre ditë përpara se të mbushet një vit nga ngjarjet e 21 janarit ku katër [...]

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri – Dritë-hijet e një procesi të pazakontë

nga Vilma Filaj-Ballvora Të hënën u dha vendimi në njërin nga proceset gjyqësore më të ndjekura vitin e kaluar në [...]

Etiketat

Top Artikuj