Thursday, February 23, 2012

Ka ndonjë hije mbi prokurorinë…

Postuar nga admin me January - 27 - 2012

nga Arjan VASJARI

Në rastin e hetimeve të 21 janarit, me Prokurorinë e Përgjithshme po ndodh diçka e pazakontë: duke u përpjekur të na heqë dyshimet mbi integritetin e saj, po na i shton ato. I kuptojmë të gjitha vështirësitë e saj. Edhe komplikimet që vetë ngjarja mbartte, edhe presionin e mazhorancës për ta paraqitur doemos atë barbari si “përpjekje për të rrëzuar një pushtet të ligjshëm me dhunë”, edhe zhargonin teatralo-martirizues të opozitës për ta gjetur killerin politik të katër viktimave të pafajshme te Sali Berisha. Dimë mirë gjithashtu edhe se kësaj Prokurorie i ka rënë fati i keq historik të zbulojë një të vërtetë që, për mendjet depresive të palëve, nuk mund të rrijë kurrsesi midis. “21 janari-thonë ata-duhet të jetë një e vërtetë ekzemplare, religjioze, absolute, ekstreme”. Mirëpo, 21 janari është një datë që nuk mund të rrijë në skaje. Ajo katrahurë ndodhi ashtu si ndodhi për të qëndruar vetëm në mes. Është destini i asaj dite. Çdo mendje e disiplinuar nga arsyeja (dhe lavdi Zotit, këtu ka plot të tilla) e di mirë këtë fakt. Nuk është aspak cinike të thuash që, ajo ishte një tragjedi e ndërtuar mbi ekuilibrin, thuajse perfekt, të përgjegjësive. Në këtë kuptim, ndonjë hije dyshimi mbi Prokurorinë lind pikërisht për mosrespektimin e këtij ekuilibri. A ka intencion në sjelljen e saj? Kjo nuk ka sesi të dihet, por sakaq hijet rrinë varur.

Pardje, në tentativën për t’i larguar ato, zonja Rama, padashur i theksoi edhe më shumë. Për shembull, nënvizimi i saj: “për pistën hetimore lidhur me sfondin politik të dhunës, hetimi iu ngarkua…Policisë së Shtetit pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës”, ngre dyshimin e parë. Si mund t’i besohej palës së përfshirë në konflikt (policisë në këtë rast) hetimi i kundërshtarit (opozitës në këtë rast)? Absurde apo jo! Në mos një alibi e stilit rrufjan “ta lash ty në derë”, qëndrimi i prokurorisë ngelet i paqartë. Edhe sikur të gjendeshin prej Policisë së Shtetit prova të qarta për implikimet politike të eksponentëve të opozitës në dhunën e asaj dite, a do të ishin të besueshme ato? Kurrsesi jo! A mund të besohen provat e siguruara nga palët në konflikt, për njëra-tjetrën? Mirëpo logjika shkon më tej. Përse nuk iu ngarkua Policisë së Shtetit, fjala vjen, pista hetimore që kishte të bënte me mbledhjen e provave dhe çështjen e analizës balistike të armëve që qëlluan mbi viktimat e pafajshme të asaj dite? Tek e fundit, sigurimi i një prove materiale është më pak impenjativ se i një provë indiciare. Posaçërisht në këtë ngjarje. Apo jo? A mos vallë, qëllimisht Policisë së Shtetit iu la një detyrë që tejkalonte kapacitetet e saj e për pasojë nuk mund ta bënte dot? Ashtu si nuk e bëri në fakt. Por, e bëri Prokuroria. Dhe këtu fillon të bjerë një hije tjetër. Sepse, nëse Prokuroria nuk do t’ia kishte ngarkuar policisë atë detyrë, mbase sot do të ishim në një situatë krejt tjetër. Nuk do të ishte humbur kohë, nuk do të ishin humbur energji për akuza politike dhe mbi të gjitha nuk do të kishim humbur prova. Sepse është e sigurt që kanë humbur shumë prova. Vetë Prokuroria, indirekt e pranon këtë. Nëse ajo ka arritur të sigurojë prova të tjera, edhe pas shumë e shumë ditëve të humbura kot prej Policisë Së shtetit, ndaj Tom Doshit, Sokol Bares dhe Taulant Ballës, atëherë arsyeja të thotë se, sa shumë prova mund të ketë pasur menjëherë pas 21 janarit.

Dhe, për ta kompletuar hartën e hijeve që varen mbi Prokurorinë, na vjen në ndihmë neni 262 i Kodit Penal, që sipas Prokurorisë, është referenca ligjore për të kërkuar hetimin mbi tre deputetët e opozitës. “…Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme…”. Kjo është akuza e Prokurorisë. Mirëpo, nëse referenca ligjore është kjo, atëherë në listë mungojnë shumë të tjerë që atë ditë ishin aty. Madje, nëse do të ishte kaq strikt me respektimin e kësaj norme, në listat për t’u proceduar duhej të ishin shumë e shumë qytetarë të ndershëm të Republikës që protestojnë përditë pa leje kundër qeverisë. Kjo nuk ndodh dhe ky është një fat i mirë për liritë tona. Kështu që, për këtë shkak burokratik nuk kanë pse merren të pandehur as Doshi, as Bare dhe as Balla. Nuk është ky arsyetimi nëse ata duhet të procedohen. Ata nuk duhet të procedohen nëse organizuan dhe morën pjesë në manifestime të paligjshme por, nëse organizuan dhe drejtuan dhunën mbi institucionet. Apo ndoshta Prokuroria kërkon që, përmes një simetrie të sforcuar procedimesh të na mbushë mendjen se është e paanshme?

Megjithatë, përpos gjithçkaje, sensi i shtetit e do që ta prezumojmë “pafajësinë” e Prokurorisë. Nuk ka pse bazohemi as tek akuzat nervoze të mazhorancës dhe as tek ekzaltimi politik që i shkaktohet opozitës nga zbulimet e saj për 21 janarin. E vërteta e asaj dite tragjike, për shtetin dhe individin, është në mes. Mirëpo, fakti që deri tani prokuroria është marrë vetëm me tragjizmin e individit dhe jo të shtetit, bën që ndonjë hije të qëndrojë mbi të. Në emër të shtetit, le ta largojë këtë hije!

Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org

(marre nga gazeta MAPO)

Gjithashtu mund te lexoni

Komentoni

Terre des hommes Albania

Zbulime të pakëndshme: Frankfurter Allgemeine Zeitung për 21 Janarin

nga Pjesë nga FAZ/Karl Peter Scharz/Ina Verbica Para një vitit para kryeministrisë në Shqipëri u vranë katër demonstrues. Prokurorja që [...]

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum

nga Ilirian Agolli Veprimtarë të mjedisit dhe të shoqërisë civile po vazhdojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të [...]

Bundestagu mbështet hapjen e dosjeve sekrete në Shqipëri

nga Ani Ruci Bundestagu gjerman rikonfirmon gadishmërinë për t’i dhënë mbështetje politike e asistencë teknike Shqipërisë në procesin e hapjes [...]

Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së

nga Ilirian Agolli Komisioni i ligjeve në parlament miratoi sot me votat e shumicës kërkesën e një grupi deputetësh për [...]

Ambasadorët e BE, SHBA dhe OSBE, të hidhet dritë e plotë mbi ngjarrjet e 21 janarit

nga Armand Mero Në Shqipëri, tre ditë përpara se të mbushet një vit nga ngjarjet e 21 janarit ku katër [...]

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri – Dritë-hijet e një procesi të pazakontë

nga Vilma Filaj-Ballvora Të hënën u dha vendimi në njërin nga proceset gjyqësore më të ndjekura vitin e kaluar në [...]

Etiketat

Top Artikuj